ProComputers

Rëndësia e psikologut dhe e pedagogut në shkolla

Shkruan: Besnik SHERIFI  

(2LONLINE) - Nevoja e psikologut dhe pedagogut në shkollat tona është shumë e rëndësishme, duke e parë të arsyeshme dhe preventiv për parandalimin e sjelljeve devijuese, dhe duke e parë të nevojshme konsultimet e fëmijëve me probleme të ndryshme siç janë: problemet emocionale, familjare, sociale etj.

Sot pa një shërbim profesional, pothuaj është e pamundur të paramendohet veprimtaria e suksesshme e procesit edukativ në shkollë. Arsimtari në shkollë është një person që mbanë mësim, që e udhëheqë mësimdhënien, që përgatitet dhe e planifikon punën mësimore, që e organizon, hulumton dhe e përparon atë.

Është vështirë të mendohet se të gjithë mësimdhënësit mund të përgatiten njësoj në mënyrë të pavarur për punë mësimore në shkollë, të cilët do të mund të planifikonin e organizonin, e aq më tepër të avanconin veprimtarinë mësimore, pa pasur mbështetje nga shërbimi profesional psikologjik.

Kjo për faktin se ndonëse mësimdhënia dhe mësimnxënia janë një veprimtari e veçantë profesionale ku nuk do të mund të jenë të mjaftueshme për mësimdhënësin vetëm njohuritë e ngushta profesionale, por edhe njohuritë tjera shtesë nga psikologjia, pedagogjia, teoria e mësimit, metodika etj. Prandaj, Institucionet tona duhet ta kuptojnë se shërbimet profesionale, roli i psikologut është i vlefshëm për shkollën, për nxënësit, për mësimdhënësit.

Këto shërbime do ta lehtësonin edhe punën  e mësimdhënësve, prindërve e veçanërisht edhe vet adoleshentët. Ky shërbim profesional është i rëndësishëm dhe i vlefshëm, po aq edhe i rëndësishëm po sikurse mjeku për sëmundjen, agronomi për bujqësinë.  Roli profesional  psikologjik – pedagogjik në shkollat tona është një këshilltar permanent I arsimtarëve, është urë lidhëse ndërmjet partneriteti shkollë – familje – komunitet, është  me të vërtetë lokomotiva e vërtetë e punës në shkollë.

Çfarë mund të sjelli roli i psikologut në shkollë?

Ndihmon çdo mësimdhënësi të sigurojë kushte të nevojshme për mësimdhënie dhe nxënësit për mësim nxënie;

Mundëson çdo mësimdhënës që të identifikojnë sa më herët tek nxënësi përparësitë dhe mangësitë e tyre;

Ndihmon mësimdhënësve në përpilimin e programit të punës edukative që u dedikohet nxënësve në harmoni me nevojat aktuale të bashkësisë së klasave;

Ndihmon mësimdhënësve që t’ia krijojnë mundësin çdo nxënësi për të marrë pjesë në punën e pavarur mësimore, motivimin, zgjidhjen e  problemeve, në marrjen e vendimeve;

Motivon çdo mësimdhënës që të bashkëpunojë me punën e shërbimit profesional në shkollë;

Mundëson dhe motivon çdo mësimdhënës që të koordinojë bashkëpunimin e shkollës me komunitetin;

Ofrim këshillimi për individët si: nxënësit, prindërit, mësimdhënësi;

Mbështetjen e ndryshimit, nxitjen dhe motivimin për ndryshim në fushën mësimore, akademike, të marrëdhënieve sociale dhe  funksionimit personal;

Trajtimi e rasteve individuale dhe në gupe. Këshillimi individual ofrohet në formën e takimeve individuale konfidenciale. Ai mbulon çështjet e vështirësive e mirëqenies psikologjike kryesisht të nxënësve, çështjet e vështirësive të tyre në përparimin në mësime, këshillimin e mësuesve për bashkëpunimin me nxënësit, këshillimin e prindërve për trajtimin e fëmijëve dhe të adoleshentëve.

Puna me nxënësit

Shërbimi i psikologut ua lehtëson punën edhe nxënësve, ndihmon ta njohin, kuptojnë dhe pranojnë vetën, dinjitetin e tyre, duke i orientuar në shfrytëzimin e mundësive të tyre për përparimin e vazhdueshëm në shkollë, duke pasur nxënësit një mundësi të flasin me psikologun ti drejtohen për problemet, sfidat dhe vështirësitë në mësimnxënie, dhe problemet e tjera sociale, familjare etj.

Krijon kushte të favorshme në shkollë për zhvillimin social, emocional, intelektual te të gjithë nxënësit;

Ndihmon në edukimin dhe socializim e nxënësve;

Ndihmon në tejkalimin e vështirësive si ato psikike, emocionale, sociale etj.
Rëndësi të madhe për informimin dhe orientimin profesional e cila është një punë shumë e rëndësishme  dhe ndihmë për të rinjtë, për orientimin dhe ndërtimin e karrierës në të ardhmen. Ndihmon prindërve që të krijojnë një atmosferë të volitshme dhe një qëndrim prindëror ndaj fëmijës. Duke u konsultuar për mënyrën qasjen dhe bashkëpunimin me fëmijët e tyre, koordinimin dhe partneritetin shkollë – familje – komunitet.

Shërbimi profesional në shkollë  vetëm sa e ngrit cilësinë e mësimnxënies, motivimin e nxënësve, punën dhe seriozitetin e nxënësve për mësim. Nxënësit me këtë shërbim do të jenë larg devijimit, dhe konsumimit të substancave narkotike sepse përcjellja, zhvillimi dhe kujdesi i tyre do të ishte në mënyrë permanente nga profesionistët  dhe lehtësim i prindërve për komunikimin dhe qasjen me fëmijët. /2lonline/

(autori është psikolog Klinik – Gjilan)

Vërejtje!

Nuk lejohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit.

2LONLINE.com mbanë të drejtën e mospublikimit dhe fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.

Komentet e publikuara nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Redaksisë 2LONLINE.com